Telegrafi

Zyrtare: Besar Musolli shkëput kontratën me Kukësin, drejt rikthimit në Kosovë

Besar Musolli zyrtarisht ka ndërprerë kontratën me skuadrën nga Shqipëria, Kukësi.

Musolli është pjesë e Kukësit nga viti 2012 kur iu bashkua klubit verilindor nga Hysi.

Lajmin për ndërprerjen e kontratës e ka bërë zyrtar klubi shqiptar Kukësi në faqen e tyre zyrtare.

“FK Kukësi dhe Besar Musolli, ndërpresin marrëdhëniet me vullnet të plotë:.

“Mesfushori kosovar dhe klubi ynë, kanë arritur të ndërpresin marrëdhëniet me konsensus të plotë mes palëve”.

“29-vjeçari nga Podujeva nuk është aktivizuar për një kohë të gjatë me skuadrën tonë, për shkak të një dëmtimi duke e detyruar të jetë për një periudhë të gjatë larg fushave të blerta”.

“Besar Musolli me fanellën e ekipit të Kukësit, arriti të bëhej lojtar profesionist duke marrë përsipër rolin e zëvendës kapitenit, duke i’u bashkuar edhe kombëtares së Kosovës”.

“Gjithashtu, ai ka arritur të regjistrojë 223 prezenca me skuadrën tonë, duke arritur të fitojë Superligën, Kupën e Shqipërisë, Superkupën dhe duke kaluar në turin e katërt të Europa League-s”.

“Futboll Klub Kukësi i uron Besar Musollit shërim sa më të shpejtë dhe falënderon kosovarin për kontributin e dhënë me skuadrën tonë, ndërkohë që dera jonë do të jetë e hapur gjithmonë për të” , thuhet në njoftimin e klubit shqiptar.

Musolli pritet të rikthehet në futbollin kosovar ku favorit për të nënshkruar me të është skuadra e Gjilanit. /Telegrafi/