Site icon Telegrafi

Zyrtari i lartë i Hamasit: Do t’i lirojmë të gjithë pengjet brenda një ore nëse Izraeli ndalon bombardimin e Gazës

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha në një deklaratë për mediat amerikane se grupi është gati të lirojë menjëherë të gjithë pengjet civile – të huaj dhe izraelitë – nëse Izraeli ndalon sulmet ajrore në Gaza.

Një zyrtar i Hamasit i tha NBC News se pengjet mund të lirohen brenda një ore, për sa kohë që Izraeli përmbush kushtet e tij. Ai pohoi se tani nuk ka vend të sigurt për lirimin e pengjeve, transmeton Telegrafi.

Në këmbim të lirimit të ushtarëve izraelitë të mbajtur peng, një zyrtar i Hamasit tha se Izraeli duhet të lirojë të gjithë palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite.

Lexo po ashtu Izraelitët bombardojnë spitalin në Gazë, ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se 500 persona janë vrarë

Zyrtari i Hamasit pohoi gjithashtu se SHBA dhe Izraeli ishin tashmë në dijeni të kushteve të tyre për lirimin e pengjeve civile, pasi grupi militant i zbuloi ato në bisedimet me liderët e disa vendeve arabe.

Kujtojmë se Hamasi tha se ka 199 pengje që i morën pas sulmeve brenda territorit të Izraelit. Kujtojmë se në fillim të mbrëmjes së sotme, ushtria izraelite kreu një sulm ajror që goditi oborrin e një spitali në Rripin e Gazës.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se të paktën 500 njerëz janë vrarë. Qeveria e Hamasit në Gaza e përshkroi sulmin si një “krim lufte”.

“Qindra të sëmurë dhe të plagosur, si dhe njerëz të zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre” për shkak të sulmeve të tjera izraelite, u vendosën në spital, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version