Site icon Telegrafi

Zyra e presidentit Macron jep detaje për takimin e djeshëm me Hotin

Zyra e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, përmes një njoftimi për media ka shpalosur detaje nga takimi i djeshëm me kryeministrin Avdullah Hoti.

Sipas njoftimit, thuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Presidenti i Republikës priti të martën më 7 korrik në Pallatin Elysee, kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti, për të diskutuar rreth rikthimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili është element kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat përkatëse për anëtarësim të dy vendeve në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës franceze, transmeton Telegrafi.

Zyra e presidentit Macron në njoftim përmend edhe video samitin që do të mbahet më 10 korrik, ku pjesëmarrëse do të jetë dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Me iniciativën e Presidentit të Republikës dhe kancelares gjermane, samiti do të mbahet më 10 korrik përmes një video konference për të rifilluar dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është ndërprerë 18 muaj më parë, dhe të lejojë Bashkimin Evropian që të lehtësoj zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis tyre.

Lexo po ashtu Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është përkushtuar për dialog me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke

Samiti do të jetë vazhdimësi i atij të mbajtur në Berlin më 29 prill 2019. Do të jetë rezultat i hapave që Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë së bashku me Kosovën dhe Serbinë, me qëllim konsolidimin e stabilitetit në Ballkan dhe forcimin e lidhjeve të tyre me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se samiti do të bashkoj Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në njoftim thuhet se në takimin e djeshëm Macron dhe Hoti kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve tona, veçanërisht thellimin e bashkëpunimit për çështjet kulturore dhe promovimin e Frankofonisë në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version