Telegrafi

Zymer Bytyqi tregon për rebelimin si 16-vjeçar dhe largimin nga RB Salzburg: Ia humba edhe babait punën, ai paguhej nga klubi

Zymer Bytyqi ka rrëfyer për Telegrafi Sport se si u largua nga RB Salzburg në moshën 16 vjeçare.

Ylli i Kosovës ishte transferuar te gjiganti austriak me vetëm 15 vite, derisa një kamp në Brazil bëri që Bytyqi të merrte vendimin për tu larguar.

Sulmuesi anësorë ka thënë se e ka kuptuar gabimin e tij dhe po të kishte mendtë e sodit nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë.

“Më vonë e kam kuptuar gabimin pasi isha i ri dhe nuk i mendoja disa gjëra. Po t’i kisha mendtë e sodit nuk do të largohesha kurrë. Te Salzburgu mi kanë plotësuar të gjitha kushtet, duke më dhënë shtëpi dhe e kisha edhe familjen me vete”, tha Bytyqi.

Lexo po ashtu Zymer Bytyqi tregon si është të punosh me Ralf Rangnick dhe çfarë plani të veçantë kishte RB Salzburg për të

“Problemi ishte se nuk kisha ende drejt loje para se t’i bëja 16 vite me ekipin e parë dhe më dërguan me U19 në një kamp në Brazil për të luajtur ndeshje pasi deri në janar nuk kisha drejt loje me ekipin e parë”, vazhdoi tutje Bytyqi.

“Pas dy javëve në kamp në Brazil isha i mërzitur shumë dhe mora vendimin për tu larguar nga Salzburgu. Pas mbledhjes me drejtorë ku donin të më dënonin, mora vendimin për tu larguar. Kur isha në mbledhje vetëm me Ralf Rangnick i thash se dua të largohem dhe ai u bë shumë nervoz me vendimin tim”, vazhdoi tutje Bytyqi.

Ai kishte marrë gjithë familjen në Austri, derisa edhe babai i tij Hysri Bytyqi ishte i punësuar nga Salzburgu, pasi i kishin dhënë një makinë dhe puna e tij ishte ta dërgonte djalin në stërvitje dhe për këtë ai paguhej.

“Ai e ka pasur jetën e mirë aty (qesh). E kishte veturën edhe naftën e paguar. Normal nuk i ka ardhur mirë që jam larguar dhe kemi vuajtur një kohë, por tani është çdo gjë mirë”, deklaroi Bytyqi. /Telegrafi/