Përfaqësuesi i Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj pas takimit me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se janë pajtuar që data e zgjedhjeve të caktohet në një afat sa më të shpejt, duke përmendur në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.
Zyberaj përmendi se janë duke diskutuar brenda partisë për një koalicion të mundshëm me njërën nga partitë e mëdha në Kosovë.
“Ne u pajtuam bashkërisht që data e zgjedhjeve të caktohet në një datë sa më të shpejt të mundshme, në mënyrë që edhe krizat e mundshme të evitohen. Kemi parasysh që nevojitet shumë kohë që pas përfundimit të zgjedhjeve të formohet Qeveria. Do të caktohet një datë që mund të jetë fundi i janarit, apo fillimi i muajit shkurt. Jemi në diskutime brenda partiake, opsioni më i mundshëm është kr8ijimi i një koalicioni me një subjekt tjetër politik. Besoj se do të jetë më njërën nga partitë e mëdha”, tha Zyberaj.
Ndryshe, të martën, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani nisi takimet me përfaqësues të partive politike për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi që Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime. /Telegrafi/