Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar që qeveria e ardhshme të mos ketë më shumë se 12 ministri, ndërkohë përjashtohet mundësia që stafi civil nëpër të reduktohet.
Nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi, thotë se do të ketë riorganizim të ministrive, por përjashton mundësinë që do të ketë largime nga puna për shkak të këtij riorganizimi.
“Riorganizimi nënkupton edhe riorganizim të stafit, për shembull nëse tri ministri bëhen bashkë nuk munden me i pas tre sekretar permanent, nuk munden me i pas tre departamente ligjore, do të thotë ka me pas riorganizim, nuk ka me pas largime nga puna për shkak të riorganizimit. Nëse ka largime nga puna ka me pas vetëm për emërime jo të ligjshme, në qoftë se një zyrtar është punësuar pa i respektuar procedurat e konkursit, atëherë ne normal që nuk do ta respektojmë këtë. Mirëpo, në qoftë se ka riorganizim dhe nevojë për rialokim, atëherë do të gjenden hapësira alternativa. Për shembull ne kemi deklaruar se do të shumëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, nëse në ndonjë departament nuk ka nevojë për zyrtar, atyre do t’iu jepet mundësia që të kalojnë në departamentin e inspektoratit të punës, kështu që do të gjenden hapësira, mirëpo stafi civil nuk ka kurrfarë arsye me u frikësuar nga këto ndryshime”, ka thënë Bislimi.
Ai thotë se ky konsolidim ka të vetmin qëllim rritjen e efiçiencës dhe uljen e shpenzimeve në nivel ministror.
Zvogëlimin e numrit të ministrive hap pozitiv e sheh Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, i cili thotë se shihet një përkushtim nga LVV dhe LDK për të pasur një qeveri me më pak ministri, e që sipas tij, kjo do të ndikojë që të ketë kursim të buxhetit të shtetit.
Në një hulumtim që GAP ka bërë thuhet se me zvogëlimin e numrit të ministrive buxhetit të shtetit do t’i kursehen 15.5 milionë euro.
Mehmeti nuk e sheh problematike riorganizimin e stafit civil, pasi të ndodhë riorganizimi i ministrive.
“Një shkrirje në 12 ministri nga 21 sa kemi tani, vetëm për pagat e këtyre personave të lartë do të kurseheshin rreth 12 milionë euro. Duke marrë parasysh edhe kostot tjera diku brenda një mandati qeveritar do të kishim një kursim prej 15.5 milionë euro. Kjo në aspektin politikë, kurse në aspektin e shërbyesve civil ne nuk i kemi kalkuluar pagat e tyre për shkak se besojmë që me vullnet politik shumë lehtë edhe pozitat e shërbyesve civil do të riorientoheshin dhe do të gjendet një mënyrë se si ata dhe ku do të shkonin brenda ministrive të reja. Ne nuk e shohim shumë problematike këtë, sepse me një vendim të Qeverisë, me një marrëveshje të koalicionit qeveritar do të kishim më pak ministri dhe pastaj brenda tyre do të kishim një riorganizim të stafit civil, që nuk nënkupton që ata do të duhej të largoheshin nga puna”, thotë ai.
Ai shprehet se nuk duhet të ketë panik në mesin e shërbyesve civil se zvogëlimi i ministrive do të sjellë edhe largime nga puna.
“Unë mendoj që nuk duhet të kemi një panik sepse me shkurtimin e ministrive do të largohen njerëzit nga puna, sepse kjo shumë vështirë e mundshme për shkak se ata gëzojnë të drejtën për të qenë pjesë e shërbimit civil, por besoj që pasi të riformulohen se cilat ministri do të shkojnë ku do të qartësohet edhe pozita e njerëzve që punojnë brenda atyre ministrive. Besoj që vetëm pozitat politike të cilat do të largoheshin me rastin e bashkimit të disa ministrive ato do të ishin pozita që do të shuheshin, përderisa pozitat tjera brenda stafit normalisht, disa do të duhej të shuheshin për të mos pasur dy të ngjashme, por personat që punojnë brenda tyre nuk nënkupton se duhet të largohen nga puna. Përkundrazi, ata mund të sistemohen në ndonjë pozitë tjetër brenda ministrisë së re në këtë rast”, shprehet ai.
Edhe Artan Demhasaj nga organizata Çohu, zvogëlimin e numrit të ministrive e quaj lajm të mirë, por që thotë se sfidë mbetet stafi civil i këtyre ministrive.
Ai shprehet se nëse do të ndodhë bartja e të gjithë stafit nga dy ministri në një, do të krijohet një ngarkim, por që potencon se largimi nga puna i stafit nuk është i mundur.
“Unë mendoj që sfidë kryesore në bashkimin e këtyre ministrive ka me qenë çështja e shërbyesve civil, secila prej këtyre ministrive e ka një numër të caktuar të shërbyesve civil dhe tash me bashkimin e dy e tri ministrive në një ministri, është lehtë e ki një ministër dhe e ki stafin politik, por çka ndodhë me shërbyesit civil që kanë qenë nëpër ministri të tjera. A do të barten komplet, nëse barten komplet ka me qenë një ngarkim tej mase i asaj ministrie, nuk është e mundur as me u larguar njerëzit nga puna se kanë kontratë me qeverinë dhe ata mund ta padisin pastaj qeverinë. Kjo po ashtu mund të jetë një barrë financiare pastaj për qeverinë e gjëra të tilla. Po sfida ka me qenë tek shërbyesit civil, njerëzit aktual që punojnë nëpër këto ministri si kanë me u rehatuar në atë ministri kur bëhen bashkë”, thotë ai.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke vazhduar takimet për harmonizimin e programit qeverisës, ndërkohë që janë pajtuar se numri i ministrive të ulet në 12, numri i zëvendësministrave të jetë nga 2 për secilën ministri dhe është premtuar edhe zvogëlim i numrit të këshilltarëve politik.
Kujtojmë se qeveria e kaluar e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka pasur numrin më të madh të ministrive 21 gjithsej me më shumë se 80 zëvendësministra.