Telegrafi

Zuckerberg në Parlamentin Evropian kërkon ndjesë për skandalin ‘Cambridge Analytica’

Pas apologjisë në Kongresin Amerikan, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg i kërkoi ndjesë edhe ligjvënësve evropiane për rolin e tij në skandalin ‘Cambridge Analytica’, që kishte lejuar depërtimin e lajmeve të rreme në platformën e tij.

Kompania e konsulencës Cambridge Analytica, e cila mohon të ketë kryer shkelje, akuzohet për shfrytëzimin e të dhënave të 87 milionë përdoruesve të Facebook, për qëllime politike.

Zuckerberg në Parlamentin Evropian fjalimin e nisi duke pranuar gabimin.

Lexo po ashtu Parlamenti Evropian kërkon raportim nga Zuckerberg për skandalin e Facebook-ut

“Gjatë viteve të fundit nuk kemi bërë mjaftueshëm për të mos lejuar që mjetet të cilat i kemi ndërtuar vetë, të përdoren edhe për të shkaktuar dëme”, tha Mark Zuckerberg, përcjell Telegrafi.

Ai shpenzoi 22 minuta për t’i kthyer përgjigje numrit të madh të pyetjeve që ligjvënësit evropianë i parashtruan atij. Ai kishte të drejtë të zgjidhte se cilave pyetje t’u jepte përgjigje duke nxitur frustrimin e disa politikanëve që e akuzuan ‘bosin e teknologjisë’ se e kishte zgjedhur këtë format për një arsye.

Lexo po ashtu Edhe Kosova është prekur nga vjedhja e të dhënave personale - eksperti Hekuran Doli tregon si mund të keni qenë ju "viktimë"

Zuckerberg nuk ju përgjigj pyetjes nëse kompania e tij ishte kthyer në monopol dhe i iku edhe pyetjeve të tjera lidhur me mënyrën si do të garantonte ruajtjen e të dhënave.

Deputeti belg, Guy Verhofstadt, e pyeti Zuckerberg nëse donte të kujtohej si gjeniu që krijoi një ‘përbindësh dixhital’, por edhe në këtë rast themeluesi i Facebook nuk u përgjigj. /Telegrafi/