Telegrafi

Zuckerberg besonte se të dhënat ishin fshirë nga Cambridge Analytica

Kreu ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, thotë se ishte “qartësisht një gabim” të besoje se kompania Cambridge Analytica i fshiu të dhënat e përdoruesve pasi i kishte mbledhur nëpërmjet një aplikacioni në një përpjekje për të ndikuar zgjedhjet.

“Senator, Cambridge Analytica na u përgjigj se nuk po i përdorte të dhënat e përdoruesve dhe se i kishte fshirë ato, ndaj ne e konsideruam atë një çështje të mbyllur. Në retrospektivë, kjo ishte qartazi një gabim. Nuk duhet ta kishim besuar fjalën e tyre, ndërkohë tani kemi përditësuar politikat tona në mënyrë që gabime të tilla të mos përsëriten më”, tha ai gjatë seancës dëgjimore në Kongres, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Rriten aksionet e Facebook pas dëshmisë së Zuckerbergut para Kongresit

Një ish-punëtor i Cambridge Analytica, një firmë e analizimit të të dhënave me seli në Londër, që kishte lidhje me personelin zgjedhor të presidentit të SBBA-së, Donald Trump, tha se nga Facebook-u u mblodhën dhjetëra miliona të dhëna përdoruesish pa lejen e tyre.

Firma i mori informacionet nëpërmjet një aplikacioni për të ndërtuar profile psikologjike për një pjesë të madhe të elektoratit të SHBA-së.

Zuckerberg pranoi se kompania nuk e kishte njoftuar Komisionin Federal të Tregtisë për mbledhjen e të dhënave.

Ai tha gjithashtu se kompania e tij po punon me këshilltarin e posaçëm Robert Mueller që po heton dyshimet mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane. /Telegrafi/