Në konferencën për shtyp, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, bëri thirrje për një frontë të gjërë popullor për të kthyer lirinë dhe demokracinë në vend, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sipas tij, Maqedonia demokratike nuk pranon zgjedhje jo demokratike. Më tej Zaev tha se Maqedonia është për kthim të vlerave evropiane dhe se bashkarisht do të veprohet për një Maqedoni demokratike.
Zaevi konsideron se me vendimin e Ivanovit, është bërë grushtështet dhe se Kushtetuta dhe marrëveshja e Përzhinos janë të vdekura. Ai akuzoi Nikolla Gruevskin dhe bashkëpunëtorët e tij se e dërgojnë vendin drejt izolimit, dhe se kryetari Ivanov edhe një herë ka vërtetuar se nuk duhet të qëndrojë në pozitën që e ka tani.
Lideri i LSDM-së tha se kryetarit i janë drejtuar me një letër për t’i kërkuar ta tërheq vendimin e tij, ndërkaq bëri thirrje për organizim të zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike si mjet për daljen nga kriza.
Ai bëri të ditur se protestat do të vazhdojnë, pasi që nuk ka listë zgjedhore të pastruar, nuk ka reforma në media, tha se zgjedhje nuk do të ketë më 5 qershor, zëri do të ngrihet dhe se Maqedonia është ngritur në këmbë./Telegrafi/