Telegrafi

Zoom shkarkon presidentin, vetëm 10 muaj pasi ai mori pozitën udhëheqëse

Zoom ka shkarkuar presidentin e saj Greg Tomb, i cili njëkohësisht është edhe një ish-punëtor i Google, i cili pozitën e tij në kompani e kishte marrë vetëm para rreth 10 muajve.

Kompania me bazë në Kaliforni në një dosje të dorëzuar në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim deklaroi se shkarkimi i Tomb ishte efektiv që nga e premtja.

Ai do të marrë përfitime nga puna në përputhje me marrëveshjet e tij të punësimit, të cilat paguhen pas një “shkarkimit pa shkak”, sipas dosjes së SEC.

Dokumenti u nënshkrua nga Aparna Bawa, shefi operativ në Zoom, raporton Business Insider, transmeton Telegrafi.

Zoom tha në një paraqitje të SEC në qershor, kur Tomb u bashkua, se ai do të merrte një pagë bazë vjetore prej 376,304 eurove (400,000 dollarë), me një objektiv bonusi vjetor prej 8 për qind.

Punësimi i tij përfshinte gjithashtu një grant prej 42.33 milionë eurove (45 milionë dollarësh), i cili do të jepej për katër vjet, sipas dosjes.

Shkarkimi i Tomb vije pasi që Zoom në fillim të shkurtit kishte deklaruar se do të pushojë nga puna rreth 1,300 punëtorë – apo 15 për qind e forcës së saj të punës.

Eric Yuan, drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i Zoom, tha se ai ishte përgjegjës për gabimet dhe gjithashtu për veprimet që po ndërmerrte si rezultat i atyre gabimeve, dhe tutje Yuan deklaroi se ai do të merrte një ulje page prej 98 për qind, që do të thotë se paga e tij këtë vit do të ishte vetëm 9,407 euro (10,000 dollarë). /Telegrafi/