Telegrafi

Zjarri i madh në ELKOS Center në Pejë – policia thotë se ende nuk dihen shkaktarët, rasti vazhdon të hetohet

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë sërish detaje lidhur me zjarrin që përfshiu qendrën tregtare ELKOS Center në Pejë.

Sipas të dhënave nga policia thuhet se rasti ka ndodhur rreth orës 08:40 dhe se ende nuk dihen shkaqet që kanë quar deri te shpërthimi i zjarrit.

Lexo po ashtu Zjarri i madh në qendrën tregtare ELKOS Center në Pejë, Policia jep detajet e fundit - zjarrfikësit e disa qyteteve në vendngjarje

Si pasojë e zjarrit përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar edhe shtatë persona të cilët janë helmuar nga tymi.

“Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të panjohura është djegur një objekt afarist. Përveç dëmeve materiale gjatë tentimit për ta lokalizuar zjarrin kanë pësuar lëndime trupore shtatë persona të cilët janë helmuar nga tymi dhe të njëjtit kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor”, njofton policia.

Policia ka theksuar se rasti vazhdon të mbetet në hetime. /Telegrafi/