Presidenti francez Emmanuel Macron, ka thënë se numri rekord i zjarreve në pyjet në Amazon të Brazilit është krizë ndërkombëtare, çështje kjo e cila duhet të kryesojë takimin e G7 që do të mbahet këtë fundjavë.
“Shtëpia jonë po digjet. Pyjet e Amazonit, mushkëritë që prodhojnë 20 % të oksigjenit të planetit tonë, janë në zjarr. Është krizë ndërkombëtare. Anëtarë të samitit G7, ta diskutojmë këtë emergjencë në dy ditët e ardhshme”, ka shkruar në twitter Macron.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, akuzoi Macron se po përdor këtë çështje për “përfitim politik”.
Ai tha se thirrjet për të diskutuar për zjarret në samitin e G7 në Biarritz, në të cilin Brazili nuk po merr pjesë, evokojnë “një mentalitet të gabuar kolonialist”.
Pylli më i madh në botë Amazon është një hapësirë jetësore e karbonit që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.
Të dhënat satelitore të publikuara nga Instituti Kombëtar për Kërkime në Hapësirë (Inpe) kanë treguar një rritje prej 85% këtë vit të zjarreve në të gjithë Brazilin, shumica e tyre në rajonin e Amazonës.