Site icon Telegrafi

Zjarr dhe shpërthime të fuqishme në Rusi – shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Voronezh

Një zjarr dhe shpërthim i madh ka ndodhur në Ostrogozsk të rajonit Voronezh të Rusisë pas një sulmi me dron.

Në atë qark është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe autoritetet po evakuojnë banorët e një fshati, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti.

Guvernatori i rajonit Voronezh, Aleksander Gusev, njoftoi në Telegram se banorët e një fshati po evakuohen përkohësisht me autobus në disa vendbanime aty pranë. Ai vuri në dukje se banorëve iu dhanë udhëzime të sakta evakuimi.

Shërbimet e urgjencës dhe autoritetet lokale po operojnë në vendngjarje. Sipas informacioneve të para nuk ka pasur civilë të lënduar.

Në rrjetet sociale janë shfaqur pamje që tregojnë flakë të mëdha dhe tym të dendur, si dhe dëgjohen edhe shpërthime.

Gusev i bëri thirrje popullatës vendase të respektojë masat e sigurisë, duke i këshilluar ata të mos afrohen në vendet e zjarrit dhe të raportojnë të gjitha objektet e dyshimta te shërbimet operative në vend që t’i prekin ato.

Guvernatori bëri të ditur se vlerësimi i dëmeve do të bëhet vetëm pasi të ndalen shpërthimet dhe të shuhet zjarri.

Rusët pretendojnë se zjarri shpërtheu pasi një dron ukrainas ra mbi mjetet shpërthyese dhe shkaktoi incidentin. /Telegrafi/

Exit mobile version