Telegrafi

Zidane pas ndeshjes: Kur humb një gjysmëfinale nuk mund të jesh i lumtur, por Chelsea e meritoi plotësisht

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka folur pas humbjes nga Chelsea në ndeshjen e dytë gjysmëfinale dhe eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Real Madridi u mposht në ndeshjen e dytë gjysmëfinale nga Chelsea në Stamford Bridge me rezultat 2-0 dhe u eliminua me rezultat të përgjithshëm 3-1.

Ky eliminim ka lënë shije të hidhur te trajneri i Los Blancos, Zidane, por francezi mendon se Blutë e kanë merituar kalimin në finale.

Lexo po ashtu Kompletohet finalja angleze, Chelsea i jep leksion Real Madridit

“Mund të themi se ata e kanë merituar fitoren. Ne jemi përpjekur, por në fund të fundit ata merituan të fitojnë dhe të kalojnë në finale. Ne luajtëm një gjysmëfinale dhe lojtarët ishin të përgatitur. Lojtarët që kanë luajtur sonte ishin të aftë për të luajtur”, ka thënë fillimisht Zidane pas ndeshjes.

“Ne mund të jemi krenarë për lojtarët tanë, jemi përpjekur dhe kemi arritur deri këtu, një hap larg finales”.

“Chelsea ka luajtur një ndeshje të shkëlqyeshme dhe ata e kanë merituar të kalojnë. Ne duhet t’i përgëzojmë ata”.

Lexo po ashtu Tuchel flet për të gjitha – Nga eliminimi i Real Madridit deri tek meritat e ekipit dhe finalja e madhe e Ligës së Kampionëve

“Ne kishim nevojë të shkonim më mirë përpara. Nuk kishim ndonjë shans të pastër, ata krijuan disa dhe ky është futbolli. Por siç e kam thënë, unë jam shumë krenar për djemtë e mi. Tani ne duhet të pushojmë dhe mendojmë për Ligën”.

“Tani për tani nuk jemi të lumtur, por kur humb një gjysmëfinale nuk mund të jesh i lumtur, kjo është normale. Është një moment i vështirë por nesër do të stërvitemi përsëri”, përfundoi trajneri i Realit. /Telegrafi/