Mbrojtësi brazilian, Marcelo, duket se ka ndryshuar mendje rreth të ardhmes së tij dhe klubit ku do ta vazhdojë karrierën.
Deri para disa javësh, ai nuk luante pothuajse fare te Real Madridi, gjë që kishte ndikuar edhe në spekulimet se ai mund të largohet nga Los Blancos në fund të sezonit.
Mirëpo, gjërat kanë ndryshuar me rikthimin e Zinedine Zidane, ku tani 30-vjeçari është kthyer në formacion dhe në dy ndeshjet e fundit ka luajtur si titullar.
Sipas gazetës AS, është pikërisht trajneri francez, ai i cili ka folur me lojtarin dhe e ka bindur atë që të qëndrojë edhe më tutje në Santiago Bernabeu duke i siguruar atij, se do të luajë në formacionin e tij të parë edhe në sezonin tjetër.
Për Marcelon ka shprehur interesim Juventusi, por duket se tani vet lojtari ka vendosur të qëndrojë në skuadrën, me të cilën ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm.