Site icon Telegrafi

Zhvillimet në veri të Kosovës, Këshilli i Sigurimit të OKB-së mund të miratojë deklaratë për uljen e tensioneve

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet që në këtë muaj të mbajë mbledhjen e dytë të vitit, ku do të diskutohet mbi situatën në Kosovë.

Përfaqësuesja e Posaçme dhe udhëheqësja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, do të raportojë mbi zhvillimet e fundit dhe mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm.

Në dokumentin që trajton diskutimet e mundshme përmenden edhe veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, të cilat u kritikuan se ishin të njëanshme si dhe dështimi i palëve për të nisur zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Nuk ka pasur përparim domethënës në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër më 27 shkurt 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Marrëveshja prej 11 pikash përfshinte angazhime për mos-përfaqësimin e njëri-tjetrit në arenën ndërkombëtare dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në raportin “Security Council Report”.

Tutje si zhvillim tjetër që ka ndodhur në Kosovë, e që mund të diskutohet në OKB përmendet edhe sulmi terrorist në Baanjskë ku mbeti i vdekur rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

“Një incident i rëndë ndodhi më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës, në fshatin Banjska/Banjskë, ku përplasjet e armatosura mes personave të armatosur dhe policisë kosovare çuan në vdekjen e një polici dhe tre sulmuesve. Milan Radoiçq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, pranoi pjesëmarrjen e tij në incident dhe dha dorëheqje, por Serbia refuzon ta ekstradojë atë.”, thuhet në dokument.

Aty theksohet se Këshilli i Sigurimit është i fokusuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe uljen e tensioneve në veri.

“Prioritete të Këshillit janë ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i depërshkallëzimit të tensioneve në veri. Ai do të vazhdojë t’i monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për Kosovën. Për këtë qëllim Këshilli mund të shqyrtojë miratimin e një deklarate presidenciale që u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në raport.

Më tej në dokument theksohet edhe dështimi i palëve për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb, e cila ndalon përdorimin e dinarit si mjet pagese me para të gatshme.

Megjithëse anëtarët e Këshillit janë unikë në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporti konfirmon dallimet e thella midis anëtarëve të përhershëm sa i përket Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version