Telegrafi

Zhvillimet në veri, emisari Escobar sot mban konferencë për media

Vendosja e kryetarëve të rinj shqiptar në katër komunat veriore, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ka nxitur reagime të ashpra të serbëve lokalë.

Në këto komuna që nga data 26 maj ka pasur zhvillime të njëpasnjëshme, serbët protestuan dhunshëm për disa ditë, ku tentuan të hyjnë më forcë në objektet e komunave, transmeton Telegrafi.

Grupe kriminale serbe sulmuan ushtarë të KFOR-it, policë dhe ekipe të mediave. Zhvillimet e fundit në veri kanë nxitur reagime të ashpra nga ndërkombëtarët të cilët edhe kërkuan nga Qeveria e Kosovës të ulin tensionet.

Së fundmi, në veri u kidnapuan edhe tre policë të Kosovës nga forcat e Policisë së Serbisë.

Për ngjarjet e fundit në veri të vendit, sot pritet të deklarohet edhe Zëvendës Ndihmës Sekretar për Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Escobar do të mbajë një konferencë për shtyp në internet, e cila në vendin tonë do të transmetohet në ora 15:00. /Telegrafi/