Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit, ka thënë se çdo vendim duhet të jetë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Sipas tij, veprimet e njëanshme vetëm do ta eskalojnë situatën më shumë.
“Çdo vendim lidhur me veriun duhet të jetë në koordinim, konsultim dhe bashkëpunim të plotë me ShBA, BE dhe NATO! Veprimet e një anshme vetëm do ta eskalojnë situatën më shumë. Paqja dhe siguria duhet të jetë kompromisi. Ajo çka është ndërtuar duhet të mirëmbahet”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Tutje, ka shtuar se veprimeve të Listës Serbe, të cilat siç ka thënë janë të porositura nga Beogradi, duhet përgjigjur me maturi dhe kujdes.
Ndryshe, Lista serbe pas një takimi të mbajtur këtë të shtunë në Zveçan, ka bërë të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë. Ndërsa, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim. /Telegrafi/