Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në bujqësi, energji dhe në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në mënyrë që Kosova të dalë në rrugë të drejtë të zhvillimit ekonomik.
Këto janë vetëm disa nga rekomandimet që përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, i shpalosi si mysafir i Erëza Vela Berisha, në emisionin “Ekonomia me Erëzën”, në Klan Kosova.
Sipas tij, BE-ja do të vazhdojë edhe në të ardhmen që ta ndihmojë Kosovën, ndërsa për këtë e kanë një plan të përbashkët me ekzekutivin kosovar.
Përfaqësuesi europian ka përmendur disa fusha për të cilat ka thënë se BE-ja do ta ndihmojë Kosovën.
“Situata ekonomike në Kosovë nuk është e mirë”.
“Ne jemi të përkushtuar në bujqësi, jemi duke ngritur grantet dhe përkrahjen për bujqësi”.
“Natyrisht se do të vazhdojmë t’i mbështesim bizneset e vogla dhe të mesme, mjedisin biznesor dhe energjetikën”.
Sipas tij, disa rezultate në sferën e bujqësisë kanë filluar të shihen, por mbetet ende punë për të bërë.
Për këtë Zbogar ka thënë se e kanë bërë një plan në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe Bankën Botërore.
“Ne e realizuam një marrëveshje të përbashkët me qeverinë në Prizren para dy muajsh, ku diskutuam për pesë fushat që besojmë se janë të rëndësishme për Kosovën. Kjo ishte një iniciativë e përbashkët e BE-se dhe Bankës Botërore”.
Zhbogar tha se sektori i prodhimit dhe fuqizimi i sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen dhe fokusin e BE-së edhe në të ardhmen.
Në pjesën e dytë të emisionit “Ekonomia me Erëzën” i ftuar ishte Shpend Balija, Drejtor i Këshillit të Investitorëve Europianë në Kosovë.
Ai shpalosi platformën e bizneseve europiane në Kosovë.
Ndër të tjera, Balija pati edhe një porosi për Qeverinë e Kosovës.
“Ne nuk duhet me i thirrë bizneset nëpër botë, por Qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh që kompanitë të cilat janë këtu të mos largohen nga vendi ynë”.
“Shteti i Kosovës ende mbetet vendi më i varfër në Evropë”.
“Ekonomia e vendit përballet me një numër të madh të të papunëve”.
“Vetëm 60% e importeve mbulohen nga eksportet. Vlera e eksporteve në vit është 300 milionë euro, e cila mbetet ende e ulët për të pasur një ekonomi më stabile”.