Pas certifikimit të zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore si dhe dy asambleve komunale Leposaviq dhe Zveçan, të cilët dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, në ditët në vazhdim pritet të bëhet konstituimi i tyre.
Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.
Krasniqi tha se në ditët në vijim individualisht do të caktojnë të gjitha seancat për konstituimin e kryetarëve të katër komunave veriore.
Krasniqi u shpreh se gjatë takimit që kanë zhvilluar të enjten me katër kryetarët e rinj të komunave veriore kanë biseduar për proceset e ardhshme.
“Ne dje i takuam kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore. Kemi biseduar për proceset e ardhshme…Kemi deklaruar edhe njëherë obligimin tonë institucional si ministri e linjës dhe jemi në mbështetje të këtyre asamblistëve dhe kryetareve në konstituimin e kuvendeve dhe bashkëpunimin tonë me ta. Jemi dakorduar që në ditët në vijim individualisht t’i caktojmë të gjitha seancat me kryetarët e zgjedhur”, ka thënë Krasniqi.
Mirëpo, njëjtë nuk vlerësuan edhe njohësit e kësaj fushe, Dritëro Arifi dhe Arton Demhasaj.
Sipas tyre, për shkak të përqindjes së ultë të daljes së votuesve ende nuk dihet nëse do të konstituohen katër kryetarët e komunave veriore si dhe dy asambletë komunale, Zveçan dhe Leposaviq.
Ndryshe, pas zgjedhjeve të 23 prillit janë zgjedhur katër kryetarët e komunave të cilët janë certifikuar më 28 prill, në të njëjtën ditë është certifikuar edhe asambleja komunale e Zveçanit, ndërsa më 4 maj është certifikuar asambleja komunale e Leposaviqit.
Sipas ligjit për Vetëqeverisje Lokale Neni 57.1 thuhet se: “Kryetari që dështon ta japë betimin brenda një (1) muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve e humbet mandatin.
Ndërsa Neni 42.1 për asambletë komunale bën të ditur se: Kuvendi i komunës e mban mbledhjen inauguruese brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Neni 42.2 – Mbledhja inauguruese e kuvendit të komunës thirret nga kryetari (aty ku është zgjedhur) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Neni 42.3 Nëse kryesuesi i Kuvendit të Komunës nuk e thërret mbledhjen sipas detyrës në paragrafin 2 të këtij neni, mbledhja inauguruese e kuvendit të komunës mund të thirret nga anëtari më i vjetër i zgjedhur i kuvendit komunal, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data kur kryetari është dashur të thirr mbledhjen inauguruese të kuvendit të komunës.
Neni 42.4 Nëse anëtari më i vjetër i kuvendit nuk e thërret mbledhje sipas detyrës së tij në paragrafin 3 të këtij neni, mbledhja inauguruese e kuvendit të komunës mund të caktohet me iniciativë të shumicës së anëtarëve të zgjedhur të kuvendit të komunës.
Neni 42.5 Mbledhjet e kuvendit të komunës që mbahen para zgjedhjes së kryesuesit të kuvendit të komunës kryesohen nga anëtari më i moshuar i kuvendit të komunës që është i pranishëm në mbledhje. /Telegrafi/