Ndonëse ka fituar votat e përgjithshme për president të Turqisë, presidenti Recep Tayyip Erdogan siç duket ”nuk ka mundur të bindë” shumicën e turqve “të kualifikuar” (edhe pse një numër i vogël) që jetojnë në Shqipëri që të votojnë për të.
Megjithatë, sipas të dhënave të fundit, ai e ka bërë këtë te ata që jetojnë dhe kanë votuar në Kosovë.
Kjo mund të thuhet bazuar në disa rezultate të publikuara nga mediumi prestigjioz Al Jazeera dhe Anadoly Agency, sipas të cilave, fitues në Kosovë, ka dalë Erdogan duke fituar 53.57 për qind të votave, përcjell Telegrafi.
Por kjo nuk mund të thuhet për Shqipëri, ku po sipas të dhënave të Anadoly Agency, fitues ka dalë Kemal Kiliçdaroglu, duke marrë 65,71 për qind të votave.
Pavarësisht të gjithave, me 95 për qind të hapura të kutive të votimit, Erdogan thuhet se ka fituar mbi 59 për qind të votave ndërkombëtare, ndërsa Kiliçdaroglu rreth 40 për qind.
Në këtë drejtim, bëhet e ditur se pjesa më e madhe e votave ndërkombëtare të Erdoganit erdhën nga qytetarët me shtetësi turke që jetojnë në vende të mëdha të diasporës në Evropë, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Holandën, si dhe në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Ndërsa sa i përket Kiliçdaroglu, ai dominoi në shumë pjesë të Evropës dhe Amerikës së Veriut ku siguroi më shumë se 80 për qind të votave në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar si dhe shumë pjesë të Evropës Jugore dhe Lindore.
Siç bëhet e ditur, vetëm pak më shumë se 1.7 milion nga 3.4 milionë turqit e kualifikuar që jetojnë jashtë votuan në balotazhin që u zhvillua nga 20 deri më 24 maj.
Ndryshe, Erdogan, ka dalë fitues në zgjedhjet e balotazhit të mbajtura më 28 maj në Turqi.
Me më shumë se 99 për qind të votave të numëruara si vendase ashtu edhe ndërkombëtare, Erdogan siguroi 52.16 për qind të votave dhe kundërshtari Kemal Kiliçdaroglu mori 47.84 për qind.
Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për 20 vjet, tani do të shërbejë edhe një mandat pesëvjeçar si President. /Telegrafi/