Site icon Telegrafi

Zgjedhje të reja, Osmani: Nuk ndërhyj në procese të tilla, nëse ka dakordim ndërmjet partive e shpalli datën e zgjedhjeve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë sot zgjedhjet e rregullta në vend parashihen të mbahen në fillim të vitit 2025-të, ndërkaq sipas saj nëse partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur më herët atëherë janë disa opsione që i lejon Kushtetuta e Kosovës. 

Ajo këto komente i bëri pas homazheve në 27-vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

“Tani, ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të 2025-së. Nëse partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur më herët atëherë janë disa opsione që i lejon Kushtetuta e Kosovës.

Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet pajtim ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike në kuvend për një datë më të hershme”, tha Osmani, raporton Telegrafi.

Sipas saj, nëse arrihet ky dakordim dhe shpërndahet Kuvendi, si presidente e shpallë datën e re të zgjedhjeve brenda 30 deri 45 ditë.

“Nuk ndërhyj në procese të tilla, megjithatë nëse ka kërkesa nga partitë politike, po flas edhe nga mazhoranca dhe opozita që t’i mbledhë të gjithë në mënyrë që të diskutohet një date më e re natyrisht se e bëjë këtë.

Po nuk është punë e presidentes të imponoj datë më të hershme se që është paraparë me Kushtetutë”, tha ajo.

Osmani tha se janë mocionet e mosbesimit, dorëheqjet e qeverive dhe shpërndarja e Kuvendit që mund të çojnë në zgjedhje të reja.

“…Por, asnjëra nga këto nuk incizohen e as nuk bëhen të mundura nga presidentja e vendit, por nga partitë të cilat janë qoftë në qeveri, qoftë në opozitë…. Nëse nuk ndodhin asnjëra nga këto të tria data e rregullt e zgjedhjeve është fillimi i vitit të ardhshëm”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version