Site icon Telegrafi

Zgjedhja e Presidentit, PS kërkon që raundi i parë i votimeve në Kuvend të mbahet më 4 maj

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla ka firmosur sot kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku i kërkohet thirrja e Konferencës së Kryetarëve për fillimin e procedurës së zgjedhjes të Presidentit të Republikës.

Në shkresë Balla i kërkon kryetares së Kuvendit fillimin e procedurave më 29 prill për zgjedhjen e Presidentit të ri si edhe përcaktimin e datës së raundit të parë të votimit.

Ndër të tjera Balla propozon që raundi i parë për votimin e presidentit të mbahet më 4 maj.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Balla ka shtuar se Kuvendi i Shqipërisë është vendi i dialogut konstruktiv.

“Ne duhet të ndahemi nga modelet bajate të së shkuarës në të gjitha format e saj dhe të punojmë së bashku për të ardhmen”, ka shtuar Balla.

“Ne do t`i japim Shqipërisë një President normal dhe krejtësisht të ndryshëm nga presidenti në largim”, Balla theksoi.

Letra e grupit parlamentar socialist drejtuar Kuvendit:

Lënda: Kërkohet thirrja e Konferencës së Kryetarëve për fillimin e procedurës së zgjedhjes të Presidentit të Republikës

Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA
KRYETARE E KUVENDIT

E nderuar zonja Kryetare,

Bazuar në nenin 87 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe në nenet 12 dhe 109 të Rregullores së Kuvendit parashtroj kërkesën për thirrjen e Konferencës së Kryetarëve për fillimin e procedurës së zgjedhjes të Presidentit të Republikës.

Në nenin 88, pika 2 të Kushtetutës, përcaktohet se “mandati (i Presidentit të Republikës) përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës”.

Në nenin 88 pika 2/1 të Kushtetutës, përcaktohet se “procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës”.

Duke patur parasysh se Presidenti i Republikës në detyrë ka patur si datë të betimit datën 24 Korrik 2017, konstatohet se mandati i Tij si President i Republikës përfundon më 24 Korrik 2022 dhe referuar parashikimeve kushtetuese sa më sipër procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës duhet të fillojnë jo më vonë se data 24 Maj 2022.

Duke patur në vëmendje:

1.afatet maksimale për çdo raund votimi të përcaktuara në pikën 2, të nenit 87 të Kushtetutës së Republikës dhe pikës 3 të nenit 109 të Rregullores së Kuvendit si dhe,
2.numrin maksimal të këtyre raundeve (pesë) sipas pikave 3 dhe 4 të nenit 87 të Kushtetutës së Republikës dhe pikës 3 të nenit 109 të Rregullores së Kuvendit,

ju parashtroj kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, më datën 29 Prill 2022.

Për këtë qëllim, bazuar në nenin 12, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ju propozoj thirrjen e Konferencës së Kryetarëve më datë 29 Prill 2022, me këtë rend dite:
I.Fillimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
II.Përcaktimi i datës së raundit të parë të votimit për Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, referuar përsëri nenit 87 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, propozoj që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të kryhet në një seancë plenare të posaçme, e cila të mbahet më datën 4 maj 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version