Telegrafi

Zëvendësministri Durmishi theu rregullat e trafikut rrugor, drejtoi veturën pa rrip sigurie

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu bashk me zëvendës ministrin Hysen Durmishi kanë treguar se janë duke inspektuar punimet në autostradën e Gjilanit.

Aliu përmes një video mesazhi të publikuar në Facebook është shfaqur me Durmishin në veturën e tyre në lëvizje, mirëpo Durmishi i cili është shoferi i veturës nuk e ka vendosur rripin e sigurisë.

“Bashkë me zv. ministrin Durmishi dolëm sot në autostradën e Gjilanit, respektivisht po inspektojmë punimet e asfaltimit në Lotin 8 të kësaj autostrade”, ka thënë Aliu.

Ai po ashtu tha se në mbledhjen e Qeverisë kanë marrë vendim për shpronësimin e pronave që lidh Prizrenin me Tetovën.

Ndërkaq, sipas Neni 187 për përdorimin e rripit të sigurisë thuhet: “Në automjetin për udhëtarë dhe në mjetin transportues shoferi dhe të gjithë personat të cilët gjenden në mjet duhet t’i përdorin rripat e sigurisë, siç e parasheh prodhuesi i atij automjeti”. /Telegrafi/