Site icon Telegrafi

Zëvendëskryeministri kampion për shpenzime të derivateve (Video)

Qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj është Qeveria më e madhe që ka pas Kosova në vitet e pas luftës.

Numri i madh i ministrave si dhe pesë zëvendëskryeministrave ka bërë që shpenzimet për derivate të veturave zyrtare të rriten nga muaji në muaj.

Telegrafi ditë më parë ka raportuar për shpenzimet e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të zëvendëskryeministrave Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, por jo edhe për zëvendëskryeministrin Behgjet Pacoli për shkak se Ministria e Jashtme e as kabineti i tij nuk kanë kthyer përgjigje për shpenzimet e tij.
Në mesin e pesë zëvendëskryeministrave është edhe Dalibor Jevtiq, i cili drejton edhe Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit, ka përdorur me të madhe veturën zyrtare.

Lexo po ashtu Sa ka shpenzuar kryeministri Haradinaj për derivate (Dokument-Video)

Telegrafi pyetjet e njëjta ia kishte dërguar edhe kabinetit të zëvendëskryeministrit Jevtiq mirëpo përgjigje kemi marrë me vonesë.

Vetura më të cilën vozitet Jevtiq ka bërë mijëra kilometra, madje ai më shpenzime ia ka kaluar edhe e shefit të tij në Qeveri, Ramaush Haradinaj, e po ashtu ka lënë prapa edh kolegët e tij, zëvendëskryeministra.

Në periudhën 9 shtatori e deri më 31 dhjetor 2017, zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq ka shpenzuar 1671 litra derivate me një vlerë financiare prej 1720.61 euro.

Lexo po ashtu Zëvendëskryeministri që shpenzoi më shumë derivate se kryeministri (Video)

Ndërkaq për 25 ditë të janarit të vitit 2018, Jevtiq ka shpenzuar 313 litra në vlerë prej 322.39 euro.

“Nga 9 shtatori i vitit 2017 e deri më 25 janar të vitit 2018, Jevtiq ka shpenzuar 1984 litra derivate në vlerë prej 2043 euro”, është thënë në përgjigjet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim pas kërkesës së Telegrafit për qasje në dokumente publike.

  1. Shpenzimet 9 shtator 2017 – 25 janar 2018
  2. Në shtator ka shpenzuar, 442 litra derivate
  3. Në tetor ka shpenzuar, 420 litra derivate
  4. Në nëntor ka shpenzuar, 377 litra derivate
  5. Në dhjetor ka shpenzuar, 432 litra derivate
  6. Në janar ka shpenzuar, 313 litra derivate.

Zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq për 138 ditë ka shpenzuar 1984 litra, apo 14.37 litra për ditë.

Në Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit, kanë thënë se shpenzimet e derivateve nga zëvendëskryeministri Jevtiq, janë për shkak të distancës së udhëtimit të tij. Ata kanë treguar se ai udhëton nga Komuna e Shtërpcës, deri në Fushë Kosovë për çdo ditë, ku ndodhet edhe objekti i kësaj ministrie. /Telegrafi/

Exit mobile version