Dalja e qytetarëve me të drejtë vote, për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale, në veri të vendit, ashtu siç edhe u parashikua është minimale.
Në komunën e Zubin Potokut, situata është e qetë, por deri në këto momente [ora 17:20] në tri nga katër vendvotimet, të drejtën për të votuar nuk e ka shfrytëzuar asnjë qytetar.
Në njërën nga këto vendvotime, në Velje Breg, gazetari i RTV Dukagjinit tha se deri në orën 17:20, nuk votuar as edhe një person i vetëm.
Kryesuesi i kësaj qendre, Arton Mezraja, tha se numri i personave me të drejt vote në këtë qendër votimi, është mbi katër mijë, dhe se asnjëri nga ta nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për votë.
“Në përgjithësi ka filluar mirë në ora 7 ka qenë e gatshme qendra e votimit, por megjithatë deri në këtë moment, nuk ka asnjë qytetarë që ka votuar. Numri i votuesve është 4 mijë e 11 votues. Asnjë material nuk është shfrytëzu, ka qenë vetëm një qytetar që është ndalë, dhe është interesu nëse në listën zgjedhore është një kandidate e tij e preferuar, por nuk ka qenë”, ka thënë ai.
Në këtë pikë votuese, ka qëndruar Policia e Kosovës, zyrtarët e të cilëve janë zëvendësuar nga kolegët e tyre rreth orës 16:30.