Drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore (OEMVP) Durim Zeqiri, është i ftuari i radhës në emisionin më të ri në Telegrafi Maqedoni, i udhëhequr nga drejtori Venhar Ramadani, emision i cili është realizuar në bashkëpunim pikërisht me OEMVP-në, i cili ka mundësuar promovimin e bizneseve dhe ndërmarrësve shqiptarë në RMV.
Me drejtorin e OEMVP-së kemi diskutuar për detyrën e tij të re, aktivitetet në Odë, si dhe planet për të ardhmen. Ai tha se gjatë dy muajve sa është në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Odës janë organizuar shumë aktivitete, të cilat kanë qenë të planifikuara prej më herët, por edhe ngjarje që janë planifikuar së fundmi.
“Unë si drejtor i OEMVP-së, gjatë kohës që jam në detyrë, kemi realizuar shumë aktivitete. Kemi realizuar info sesione për kompanitë në lidhje me fondet e institucioneve vendore, por edhe nga jashtë, për t’u mundësuar kompanive të kenë qasje në financa, pasi jemi të vetëdijshëm se kriza e COVID-19, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë shkaktuan inflacion të madh dhe u pamundësoi kompanive të kenë qasje në fonde”.
“Gjithashtu kemi qenë të zëshëm në mediat vendore, por edhe ato rajonale, duke e ngritur si çështje problemin e fuqisë punëtore, pasi besojmë se në të ardhmen sfida e radhës e ekonomisë së vendit tonë do të jetë fuqia punëtore dhe mungesa e saj nënkupton stagnim të ekonomisë”, tha drejtori i ri i OEMV-së, Durim Zeqiri.
I pyetur për një prej shërbimeve të Odës, që atë do ta bënte krenar, ai tha se ai është shërbimi “anëtarë për anëtarë”, që OEMVP e ofron për anëtarët e saj.
“Nëse do të kisha zgjedhur një prej shumë shërbimeve apo aktiviteteve, do ta kisha zgjedhur shërbimi anëtarë për anëtarë. Kompanitë kanë nevojë për rrjetëzim konkret me kompanitë që janë të besueshme dhe legjitime dhe vlerësojmë se shërbimi “anëtari për anëtarin” vjen në shprehje. Ky shërbim mundëson që anëtarët aktiv të Odës të ndërlidhen me ndonjë anëtarë tjetër, në mënyrë që aktiviteti i tyre afarist të bëhet duke i shfrytëzuar shërbimet e njëra-tjetrës. Ky shërbim duhet të promovohet edhe më tej”, tha drejtori i OEMVP-së.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë anëtarët e OEMVP-së për kontributin e tyre në Odë, duke thënë se veprimtaria e tyre është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e shtetit. Ai tha se numri i anëtarëve të rinj në Odë ka shënuar rritje të madhe.
Zeqiri gjithashtu i ftoi të gjitha bizneset në RMV të bëhen pjesë e odave ekonomike, në mënyrë që kërkesat e tyre t’i realizojnë në mënyrë institucionale./Telegrafi/