Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj me bashkëpunëtorë qëndroi sot në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare për të parë nga afër si po menaxhon kjo klinikë dhe të tjerat me numrin në rritje të rasteve me COVID-19, të cilat janë në tretman spitalor.
Ministri Zemaj është informuar nga drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu dhe drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha për numrin e shtuar të rasteve të hospitalizuara në këtë klinikë, ku sot kishte 104 pacientë, prej të cilave 101 të konfirmuar me COVID-19, por edhe për një numër të caktuar pacientësh, tashmë të hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë, e cila bashkë me Klinikën e Dermatovenerologjisë dhe Qendrën e Mjekësisë Sportive, janë vënë në dispozicion të trajtimit të rasteve me COVID-19.
Me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale Ministri Zemaj ka thënë se përveç stafit aktual të këtyre klinikave, një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësor që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar.
Në këtë takim është diskutuar edhe për aspekte të tjera të menaxhimit klinik të rasteve me Covid-19, dhe përforcimit të shërbimeve me qëllim të përballimit të çfarëdo fluksi të pacientëve me COVID-19.
Më pas Ministri ka bërë një vizitë edhe Qendrës së Mjekësisë Sportive për të parë mobilizimin e kapaciteteve në funksion të përballjes me COVID-19.
Nga takimi në Klinikës Infektive, profesionistët e saj, kanë kërkuar nga kolegët e tyre të Kujdesin Parësor që t’i përpunojnë rastet mjekësore ambulantore me kujdes në Klinikë të referojnë vetëm rastet me COVID-19, për të mos e ngarkuar klinikën me raste ambulantore dhe pa simptomatologji të qartë klinikë për COVID-19./Telegrafi/