Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e ka njoftuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani për masat antiCOVID, duke paralajmëruar kategorizimin e komunave sipas numrit të banorëve të infektuar.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Osmani ka thënë se është i domosdoshëm koordinimi me Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e emergjencës shëndetësore, duke rritur kujdesin dhe respektuar maksimalisht masat mbrojtëse ndaj COVID-19.
“Vendimet tona do të jenë në përputhje me situatën, luftimin e virusit dhe ngushtimin maksimal të hapësirës për virusin”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Zemaj ka thënë se në takim kanë diskutuar për gjendjen me pandeminë COVID-19, transmeton Telegrafi.
“Në takim me znj. Vjosa Osmanin, U.D. e Presidentes, ishte rast të diskutojmë për gjendjen e pandemisë në vendin tonë, sfidat dhe përkushtimin institucional për luftimin e virusit COVID19”, ka shkruar Zemaj në profilin e tij në Facebook.
Më tej, ministri ka shtuar se “Disiplina e qytetarëve, respektimi i masave, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe të pushtetit qendror e lokal, përkushtimi i tri niveleve të përkujdesjes shëndetësore dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar, janë çelësi i fitores ndaj virusit”.
Ndërkaq, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 637 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 768. /Telegrafi/