Ministri i Shëndetësisë (MSH), Armend Zemaj gjatë intervistës për Telegrafin me redaktoren përgjegjëse, Besnike Salihu ka folur për kritikat e opozitës për keqmenaxhimin e pandemisë COVID-19.
Zemaj tha se kritikat e tyre kanë qenë të paqëndrueshme, politike dhe shpesh edhe banale.
Ai po ashtu ka thënë se nuk ka qenë e lehtë hapja e vendit në fillim të muajit qershor dhe se tubimet e opozitës kanë bërë që të rritet numri i të infektuarve.
“Që nga fillimi i mandatit prioritet imi ka qenë menaxhimi i pandemisë, COVID-19. Nuk ka qenë e lehtë të komunikohej dhe me masën dhe me njerëzit kur dolën nga izolimi. Gjithashtu ka pas tubime nga opozita dhe nga të tjerët dhe kjo bëri që të rritet numri i infeksionit në mënyrë të pakontrolluar. Kritikat mund të jenë të arsyeshme nëse ka dhënie të alternativave. Unë jam në muajin e katërt të Ministrisë së Shëndetësisë dhe përpos ligjit anti COVID-19 që është miratuar nuk kam marr ndonjë alternativ tjetër. Por ajo që është dëshmuar si ministër i Shëndetësisë me kryetarët e komunave, QKMF-të, Shtabet Emergjente, ShSKUK, etj që ne për tre muaj e sollëm Kosovën në shtatë vendet të cilat tash janë në menaxhimin më të mirë të COVID-19. Kjo neve nuk na lejon që të lirohemi dhe të krijomë komoditet. Kritikat kanë qenë të paqëndrueshme, politike dhe shpesh edhe banale dhe unë nuk jam marr personalisht dhe nuk kam lejuar që as stafi im dhe bashkëpunëtoret e mi të merren, por të kemi primare ruajtjen e shëndetit dhe avancimin e shërbimeve shëndetësorë në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Zemaj ka thënë se në rast të rrezikut të rritjes së infeksionit do të marrin masa të menjëhershme.
Ai tha se nuk do të lejoj stërngarkim të kapaciteteve spitalore në vend.
“Këto dy javë në bazë të statistikave dhe raporteve, Kosova është vendi që ka infeksionin më të ulët momentalisht. Nuk do të lejoj që të kemi stërngarkim të kapaciteteve tona spitalore apo të shkojmë në një fazë ku qytetarët mund të dëmtohen nga pakujdesia e tjetrit. Nëse kemi rrezikshmëri dhe e shohim që po rritet infeksioni do të kalojmë në një nivel tjetër të masave, qoftë në mbyllje apo në të cilat sa më pak e bëjnë të mundshëm grumbullimin dhe të nxënësve, të mësimdhënësve dhe qytetarëve në përgjithësi. Për këtë arsye po kërkojmë mirëkuptim. Arma më e fortë është mbajtja e distancës, maskës dhe higjienës”, ka thënë Zemaj.
Zemaj tha se edhe spitalet rajonale trajtojnë raste me COVID-19 dhe se prioritet i tyre është ngritja e infrastrukturës.
“Kur kemi filluar zgjerimin dhe organizmin, vetëm Klinika Infektive dhe Pulmologjia ka trajtuar raste me COVID-19. Ne menjëherë iu kemi qasë një organizimi tjetër. Sot edhe spitalet rajonale trajtojnë raste COVID-19, përtej kësaj edhe QKMF-të kanë trajtuar raste COVID dhe e kanë menaxhuar situatën e kjo na ka ndihmuar shumë dhe po na ndihmon në vazhdimësi. Është një front i përbashkët. Ajo çka po bëjmë si ministri është ngritja e infrastrukturës. Emergjenca është duke u shndërruar në spital COVID-19. 400-500 shtretër janë paraparë. Kurdo që të mbaroj pandemia, emergjenca prapë t’i kthehet QKUK-së në destinimin në të cilin është përcaktuar. Rritja e numrit të testimeve me aparatura, vaksinimi i qytetarëve dhe përgatitja e vaksinës së COVID-19”, tha tutje ai.
I pyetur se a ka rrezik të mbylljes së sërishme të vendit, ai tha: “Ne po bëjmë dhe analiza. Jam pjesë e bashkëpunimit rajonal, përmes një organizmi të cilin e kemi bërë katër ministra të rajonit e cila është zgjeruar dhe me Serbinë, Bosnjën, Greqinë, Bullgarinë. Marrim komunikime, kemi shpërndarje të informacionit, vlerësojmë për situatën epidemiologjike por edhe me vendet perëndimore. Masat të cilat janë lehtësuar janë vlerësim mbi situatën, ndoshta përtej asaj që ne kemi kapacitete të përgatitjes, të kemi lirim të tepruar. Kam kërkuar dhe duhet të kemi kujdes për lirimin e masave”.
Ministri Zemaj sqaroi se bartja e maskave, distanca fizike dhe higjiena personale është arma më e fortë për luftuar pandeminë në vend.
“Disa vendime me ligjin e ri më takojnë mua si ministër. Bordi ka hartuar dhe udhëzuesin. Arma më e fortë është mbajtja e maskës, udhëzuesi është i qartë për të mos shqiptuar gjoba dhe dënime”, tha ndër të tjera ministri Zemaj. /Telegrafi/