Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut do të zhvillohen ndryshe nga herët e tjera, duke respektuar vendimet dhe Ligjin për Pandeminë.
Zemaj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se duhet të respektohen me rigorozitet ligji, vendimet, udhëzuesit dhe protokollet në fuqi, kjo pasi siç tha ai në asnjë rast të mos lejojnë që zgjedhjet të jenë shkak i rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19.
“Duke e ditur që tashmë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut do të mbahen më 29 nëntor 2020, për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19, ato duhet të zhvillohen ndryshe nga herët e tjera dhe gjithashtu duke respektuar vendimet dhe ligjin në fuqi. Bashkë me Bordin Këshillëdhënës diskutuam për mënyrë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor ne të dy komunat. Edhe në këtë rast, duhet të respektohen me rigorozitet ligjin, vendimet, udhëzuesit dhe protokollet në fuqi në mënyrë që data 29 nëntori, ditë kur do të zhvillohet procesi zgjedhor në asnjë rast të mos lejojmë që të jetë shkak i rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19”, ka thënë ai.
Ministri Zemaj po ashtu theksoi se në ditët në vijim, bashkë me IPKSHP-në do të dalin edhe më hapa konkret për t’i rekomanduar KQZ-së mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve.
“Edhe në kohë fushatë, por edhe çdo ditë tjetër deri sa jemi në kohë pandemi tubimet dhe grumbullimet janë të ndaluara, andaj në organizime të tilla, ku rrezikohet shëndeti publik, gjithsesi duhet të veprohet sipas vendimeve në fuqi dhe nuk duhet të ketë tolerime për askënd. Prandaj, respektoni ligjin, vendimet, respektoni vetën dhe bashkë të kujdesemi për shëndetin e njëri tjetrit. Barte maskën! Ruaje distancën! Mbaje higjienën”, ka shkruar ndër të tjera ministri Zemaj, në Facebook. /Telegrafi/