Site icon Telegrafi

Zemaj: Për mosliberalizimi e vizave s’duhet të fajësojmë vetëm BE-në, por edhe ata që janë në krye të shtetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, deklaroi sot se nuk mund të fajësohet vetëm Bashkimi Evropian për mungesë të liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi sipas tij, faj kanë edhe krerët shtetërorë.

Zemaj në seancën e Kuvendit tha se ka një shkak për mosliberalizimin e vizave, derisa shtoi se qeveritarët e tanishëm ia kishin humbur vendit këtë mundësi para disa vitesh.

“Edhe ne si grup parlamentar po shprehim shqetësim për mungesë liberalizimi të vizave. Nuk mund të fajësojmë vetëm BE-në, por u pamundësua nga disa figura që janë në krye të shtetit. Sot është një situatë e favorshme të përmbyllet çështja e vizave. Zëra brenda BE-së thonë se procesi duhet të kthehet në pikën zero. Është e pafalshme për Qeverinë nëse ndodhë një gjë e tillë”, tha ai.

Deputeti opozitar tutje përmendi edhe protestat e dhunshme, hedhjen e koktej molotovëve ndaj institucioneve të vendit, si shkak i mosliberalizimit të vizave.

“Edhe me disa zyrtarë tjerë në pengesën që iu bë ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, besa u shfrytëzuan edhe format tjera të quajtura mjete politike, nga gazi lotsjellës, dhuna e shprehur në Kuvend, me hedhjen e gjësendeve të ndryshme edhe jashtë saj, protesta të dhunshme dhe hedhjen e koktej molotovëve ndaj institucioneve të vendit”, tha Zemaj. /Telegrafi/

Exit mobile version