Telegrafi

Zemaj: Pas rritjes së rasteve me coronavirus, do të shtohen kontrollet – nuk ka vend për panik

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj bashkë me drejtorin e IKSHPK-së, Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe drejtuesit e Inspektoratit Shëndetësorë dhe atij Sanitar (AUVK), në një konferencë për media kanë folur për gjendjen aktuale epidemiologjike në vendin tonë.

Zemaj ka thënë se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marrë vendim për lëvizje të lirë në kufij.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marrë vendim që prej nesër të ketë lëvizje të lirë në kufij kështu e lehtësojmë ardhjen e bashkatdhetarëve dhe ruajmë vetën – kjo është detyra jonë në këtë kohë qe të arrijmë aty ku duhet, të ndihmojmë familjet, bizneset dhe t’i rikthejmë humbjet në biznese” deklaroi Zemaj.

Ministri është shprehur se momentalisht gjendja është stabile dhe nuk ka nevojë për masa shtesë.

“Duhet të rrisim kujdesin, ta mbajmë distancën e pastërtinë dhe mbi të gjitha t’i respektojmë rekomandimet e IKSHP-së. Për këtë arsye do ta shtojmë intensitetin e kontrolleve e mbikëqyrjes, të jetë pjesë e mesazhit që gjendja të ndryshoj për së miri, që të mos ketë nevojë të përballemi me masa shtesë”, tha Zemaj.

Zemaj ka bërë thirrje që të bëhet sa më shumë kujdes.

“Gjendja duhet të ndryshojë. Virusi është akoma prezent, mos besoni deklaratave të ndryshme për shkak të interesave të ndryshme, por besojuni profesionistëve shëndetësorë”, ka thënë ai.

Ndërkaq sipas të dhënave të fundit, në Kosovë që prej shfaqjes së rasteve të para me coronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste dhe 31 pacientë kanë vdekur. /Telegrafi/