Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19 tha rënia e rasteve me coronavirus ka ardhur për shkak të masave të cilat janë ndërmarrë.
Ai tha se masat e reja ndërmerren varësisht numrit të të infektuarve në vend, ndërsa shqetësuese e quajti numrin e lartë të vdekjeve.
“Me trendin e tanishëm të rasteve pozitive dhe ngarkesën e spitaleve dhe QKUK-së nënkuptohet se do të jenë në fuqi masat e ndërmarra në nëntor. Situata analizohet dhe varësisht nga projeksionet që kemi bërë në dy javët e fundit kemi stagnim të virusit. Masat duhet të vazhdojnë me një intensifikim të shtuar për të ndikuar në ulje të lakores së infektimit. Shqetësuese është numri i rasteve të të vdekurve. Kemi rënie të rasteve pozitive më pak se 15 për qind”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë ka folur edhe lidhur me vaksinën antiCOVID-19.
Ai bëri të ditur se më 7 dhjetor ka nënshkruar aplikimin për vaksinë, ndërsa njoftoi se Kosova është në mesin e 92 vendeve ku 20 për qind të vaksinës do ta ketë falas.
“…Synimi është imunizimi i atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë ai.
Ministri ka folur edhe lidhur me problemet në furnizimin e spitaleve me oksigjen, ndërsa tha se kjo tashmë është tejkaluar.
“Lirisht mund të them se oksigjeni ka qenë sfidues dhe menaxhimi me oksigjen për shkak të numrit të madh të pacientëve… Tashmë i kemi dy kontrata të lidhura”, tha Zemaj. /Telegrafi/