Site icon Telegrafi

Zemaj: Kurti zbuti qëndrimin ndaj Rakiqit, por tashmë ai është shndërruar në partner serioz

Ish ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë, për aplikimin e masës së reciprocitetit për targa për shtetin e Serbisë.

Zemaj në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com deklaroi se ky vendim ka anën pozitive dhe atë negative.

Zemaj pohoi se vendimi për reciprocitet me targa është marrë në kohë të fushatës zgjedhore dhe kur numrat e infeksioneve janë të larta.

“Ana pozitive është se Qeveria është kthyer në bazamentin institucional, në atë që vetë e ka kundërshtuar – do të thotë marrëveshjet që vetë i ka quajtur të dëmshme, dhe i ka quajtur në favor të Serbisë dhe jo në favor të Kosovës, dhe kjo është demantuar nga këto veprime. Tash se si ka ardhur te veprimi, ka ardhur në një kohë kur qeveria është që gjashtë muaj në të njëjtën gjendje, në kohë fushate, kohë kur numrat e infeksioneve janë të lartë”.

Zemaj shtoi tutje se “akoma vazhdon të ketë nuanca të politizimit të kësaj çështje, jo të veprimit institucional që do të duhej të kishte me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe vendin agresor siç është Serbia”.

Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj në intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

Megjithatë, deputeti i LDK-së, potencoi se tani është e rëndësishme të respektohen institucionet e Kosovës, teksa tha se kryeministri Albin Kurti ka zbutur qëndrim ndaj Goran Rakiq.

“Kryeministri e zbuti qëndrimin ndaj Rakiqit, na është dukur e çuditshme, por tashmë Rakiq është shndërruar në partner serioz”, tha mes tjerash ai.

Gjatë bisedës, Zemaj foli edhe për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor, duke shtuar se janë duke bërë një fushatë moderne.

Lexo po ashtu Zemaj: Qeveria Kurti nuk po menaxhon me pandeminë, nëse do të ishte specialist do ta punësoja Vitinë kur kishim nevojë për mjekë

“Po punojmë shumë, ka organizim, fushatë moderne, premtime të bazuara me njerëz kredibil, jo vetëm që ka ambicie për komuna të mëdha, por ka edhe sondazhe e gjëra tjera”, tha ai.

Në intervistën e dhënë për “Përballje”, Zemaj ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti për menaxhimin e pandemisë COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version