Telegrafi

Zemaj: Kryeministër, krejt bota demokratike është në luftë për shëndet, ndërsa ju veç për pushtet

Ish-ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Siç ka shkruar Zemaj, e gjithë bota demokratike është në luftë për shëndet, kurse kryeministri Kurti po lufton për pushtet, transmeton Telegrafi.

“Kryeministër, krejt bota demokratike është në luftë për shëndet, ndërsa ju veç për pushtet! Sot, 888 raste me Covid -19. Kryeministër, iu kisha paralajmëruar se pandemia nuk është lojë. E thashë nga përvoja e jo nga dëshira se virusi ishte dhe është akoma në mesin tonë. Iu luta dhe po iu lutem sërish që të tentoni të punoni. Fillimisht thatë që e mundët pandeminë, pastaj thatë se do ta mundni! Cila është e vërteta juaj kryeministër? A besoni ende që e keni mundur pandeminë? Nëse po, atëherë nuk jeni n’tokë t’bukës.

Nëse kthjellesh dhe e sheh situatën reale, fillon e beson që virusi është në mesin tonë. E rrjedhimisht, a mendon ende si dikur që ministri “mindil” është i duhuri për ta fituar këtë betejë? Nëse po, si është e mundur që i njëjti është duke u marrë me fushatë për zgjedhjet lokale dhe jo me pandeminë?”, ka shkruar Zemaj.

Tutje, Zemaj ka shkruar “kryeministër, mjaft i mashtruat qytetarët, mjaft”.

“Definohu kryeministër, pasi që ‘i duhuri’, veçse i ka braktisur qytetarët! Apo ke mashtruar se është i duhuri! Definohu kryeministër, sepse të duhurit nuk ikin nga beteja. Qytetarët më nuk mund t’i mashtroni”, thotë ai.

Ndryshe, sot janë konfirmuar 888 raste pozitive me coronavirus, kurse një person ka humbur jetën. /Telegrafi/