Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka akuzuar partnerin e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), se po diskutojnë një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovës. Këto komente ai i bëri në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit.
“Absolutisht po diskutojnë një koalicion paszgjedhor apo parazgjedhor. Nuk e di se si e mendojnë këtë. Por, ka individë të caktuar në këto grupime politike që nuk po mund ta durojnë LDK-në si udhëheqëse të Qeverisë, e mbi të gjitha s’mund ta durojnë sundimin e rendit dhe të ligjit në vend”, ka thënë ai.
Zemaj nuk i përjashtoi edhe diskutimet e fshehta të LDK-së e Vetëvendosjes, duke e pranuar se ka afërsi të disa individëve të këtyre subjekteve.
“Nuk e di; nuk jam pjesë e kësaj. Ka afërsi të njerëzve. Nuk i bie njëjtë, sepse nëse dikush është i pastër në LDK dhe nuk ka rënë ndesh me ligjin dhe kërkon një partneritet të tillë, atëherë është dallim i madh. Unë po flas për individë që janë pjesë e keqpërdorimeve dhe aferave që nga paslufta”, shtoi Zemaj.
Ai tha se bashkudhëheqësit e PDK-së, AAK-së e Nismës nuk duhet ta shfrytëzojnë Demarkacionin me Malin e Zi për shkuarje në zgjedhje. Ndërkaq, për nismën e grupit të deputetëve të LDK-së që të votohet e më pas të lihet e hapur mundësia e korrigjimit të Demarkacionit, ai tha raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën. /RTV D/Telegrafi/
https://youtu.be/VYhdyaUy0bY?t=4793