Telegrafi

Zemaj ironizon me masat antiCOVID: Kush i mashtroi e i largoi shqiptarët i pari, Albin akrobati e jo magjistari

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se afro 30 mijë raste me COVID-19 janë konfirmuar vetëm gjatë këtij muaji.

Ai ka thënë se ky është epilogu i një paaftësie qeverisëse.

“Ky është epilogu mujor i paaftësisë qeverisëse, rezultati i menaxhimit online të pandemisë. Ky është rezultati i qeverisjes së paaftë e cila edhe profesionistë shëndetësorë edhe dje vazhdoi ti trajtojë me lëmoshë, që nxjerr masa joadekuate në shpërputhje me situatën, i neglizhon testimet masive e vaksinimet. Rezultat i qeverisë që e ulë buxhetin për MSH, largon nga puna profesionit shëndetësorë, nuk ka koordinim me komunat e shtetet përreth. Nuk ka respekt e vlerësim për punën e të gjithëve pa përjashtim”, ka thënë Zemaj.

Ish-ministri i Shëndetësisë shtoi se arroganca, mosveprimi, propaganda janë tipare të një qeverisje të paaftë dhe popullsitë.

“Kësaj qeverie sot i bëjmë thirrje, guxo, provo për të dëgjuar, provo për të mësuar dhe për të punuar, është në pyetje shëndeti i qytetarëve”, tha Zemaj.

Ai shtoi se paralajmërimet e tyre se varianti Omicron e kërcënon edhe Kosovën, u injoruan krejtësisht.

“Duke reaguar gjithmonë keq dhe me vonesë, duket se ka për qëllim të na bëjë imun ehe me situatë alarmante. Ka filluar me izolim të qytetarëve dhe ekonomisë le të shpresojmë që nuk do të përjetojmë edhe ndonjë izolim politik”, tha Zemaj.

Më tej deputeti foli edhe për masën për hyrjen e shtetasve të huaj në Kosovë, duke thënë se me këtë masë Qeveria Kurti ka larguar shqiptarët.

“Sot falë masave të tyre dëmit të paaftësisë qeverisëse nuk po i shpëtojnë as vëllezërit tanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Malit të Zi. Kjo masë duhet të emërohet si në vijim dhe kështu do ta këndojnë edhe të tjerët “Kush i mashtroi e i largoi shqiptarët i pari, Albin akrobati e jo magjistari””, tha Zemaj.

Ai ka pyetur Kurtin se kush po e obligon që t’i largoj shqiptarët nga njëri-tjetri. /Telegrafi/