Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se statistikat nga ECDC, Kosovën e radhitin të fundit në rajon sa i përket shtrirjes së infeksionit si dhe vdekshmërisë nga COVID-19, ndërsa paralajmëroi edhe lehtësimin e masave.
Zemaj në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave antiCOVID-19 për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
“Kosova, krahasuar me shtetet tjera, vazhdon të ketë situatë të mirë të menaxhimit të Covid 19.
Statistikat nga ECDC, Kosovën e radhitin të fundit në rajon sa i përket shtrirjes së infeksionit si dhe vdekshmërisë nga Covid 19.
Në takimin e sotëm me Bordin Këshillëdhënës, kemi diskutuar për situatën epidemiologjike, duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave që janë në fuqi. Masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e masave nga qytetarët.
Qytetarët me disiplinën e tyre si dhe të gjithë akterët relevantë që përballen me Covid 19, kanë dëshmuar se meritojnë falënderim dhe respekt.
Edhe sot u bëjë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave anti COVID për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”, shkruan Zemaj.
Ndryshe, IKSHPK një ditë më parë ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCOVID-19 gjatë fushatës zgjedhore. Siç ka raportuar Telegrafi, masat nuk janë duke u respektuar nga partitë politike, duke përfshirë edhe atë nga vjen ministri. /Telegrafi/