Site icon Telegrafi

Zemaj e quan të paaftë Qeverinë Kurti për menaxhimin e pandemisë, COVID-19

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e quajti qeverinë aktuale si të paaftë në menaxhimin e pandemisë COVID-19 në vend.

Zemaj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se më pak se katër javë në Kosovë janë shënuar mbi 30,000  raste me COVID-19, apo 1,154 të infektuar në ditë.

Sipas tij, vetëm për këto ditë janë shënuar 33 jetë të humbura të qytetarëve nga COVID-19.

Tutje ka thënë se ky rezultat është në vazhdën e dështimeve të paaftësisë qeverisëse, e cila siç u shpreh ai mendonte se mund ta menaxhoj online pandeminë si dhe online sektorin e shëndetësisë.

“Paaftësia qeverisëse dhe mashtrimi i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore. Më pak se 4 javë kemi mbi 30,000  raste me COVID-19, apo 1,154 të infektuar në ditë. Vetëm për këto ditë kemi 33 jetë të humbura të qytetarëve nga COVID-19. Ky rezultat është në vazhdën e dështimeve të paaftësisë qeverisëse, e cila mendonte se mund ta menaxhoj online pandeminë si dhe online sektorin e shëndetësisë”, tha Zemaj.

Ish ministri i shëndetësisë po ashtu theksoi se qeveria aktuale po ashtu është duke i trajtuar profesionistët shëndetësor me lëmoshë.

“Është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësor vazhdon t’i trajtoj me lëmoshë, gjersa vetëm për dy muaj 108 profesionistë shëndetësorë kanë lënë vendin, ndër ta edhe 36 specializantë. Është kjo Qeveri që javë më parë nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1,200 pjesëtarëve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë”, u shpreh ai.

Siç tha Zemaj, në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, janë stërzgjatur listat e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet shëndetësore, duke mbërritur deri në mesin e vitit 2023.

“Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, vazhdon mungesa e barnave në listën esenciale e cila tashmë është bërë e zakonshme dhe e tmerrshme për pacientet. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, si shumë medikamente të tjera, po mungon edhe medikamenti ‘Pembrolizumab’ e që janë esenciale për pacientet të sëmurë me kancer, ndërsa pritja për ti marrë është nën mëshirën selektive të përzgjedhjes”, tha tutje ai.

Tutje Zemaj tha se ministri i Shëndetësisë, ka deklaruar se në rast dështimi ai kthehet nga ka ardhur.

“Mos të harrojmë se, ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë, ka deklaruar se në rast dështimi ai kthehet nga ka ardhur. Pra, së pari është e frikshme se si vetëm ai dhe Qeveria e tij nuk po e sheh dështimin e tyre të thellë në shëndetësi. Së dyti, në të njëjtën frymë, vetëm këta vendosin nëse kanë dështuar apo jo, dhe në rast se e pranojnë dështimin, vetëm atëherë zyrtarizohet paaftësia qeverisëse”, ka shkruar ndër të tjera Zemaj në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version