Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj tha se ka diskutuar me ministrin e Shëndetësisë së Izraelit, Yuli Edelstein, për situatën e pandemisë dhe bashkëpunimin në mes të dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.
“Kosova është e bekuar me miqësinë e popullit dhe shtetit të Izraelit, i cili ishte përkrah qytetarëve tanë në kohën kur na kanosej ekzistenca, ashtu sikur që ne mbajtëm besën në kohët e vështira kur kombet tjera ishin të pabesë ndaj tyre. Andaj, edhe sot, brengat tona i trajtuam në pajtim me situatën e pandemisë, luftimin dhe parandalimin virusit si dhe angazhimin tonë në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social Facebook.
Më herët, Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, përmes një komunikate tha se Izraeli ka shprehur gatishmëri që t’i ndihmojë Kosovës për të siguruar vaksina kundër koronavirusit.
Por, ministri Zemaj nuk ka dhënë detaje se, kur dhe me çfarë sasie të vaksinave do ta ndihmojë Izraeli Kosovën.
Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka filluar fushatën e imunizimit kundër coronavirusit.
Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt. /Telegrafi/