Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina dëshiron ta dyfishojë kapacitetin e mbrojtjes ajrore gjatë verës, pasi mori sistemin e tretë Patriot nga Gjermania.
Kjo deklaratë vjen pasi Moska ka shtuar sulmet e saj ajrore në rrjetin kombëtar të energjisë së Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje gjithëpërfshirëse.
“Unë i kam caktuar një detyrë ekipit tonë që të dyfishojë aftësitë mbrojtëse këtë verë, kryesisht me Patriot dhe të tjera”, tha Zelensky duke iu referuar edhe sistemeve Hawk dhe Iris, shkruan yahoonews.
“Tani ne kemi filluar të shohim rezultate”, shtoi ai.
Gjithashtu, Zelensky theksoi se së fundmi ushtria ukrainase ka marrë “mbështetje shtesë” nga SHBA-ja, por pa dhënë detaje.
Ndryshe, lideri ukrainas shprehu edhe mirënjohje ndaj Gjermanisë për furnizimet me sistemin Patriot.
Patriot pritet të mbrojë më tej civilët dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës. /Telegrafi/