Telegrafi

Zelensky i Ukrainës akuzon Rusinë se po përpiqet të ‘shkatërrojë Donbasin’

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po përpiqet të “shkatërrojë Donbasin”, ndërsa vendi po përgatitej për një ofensivë në shkallë të gjerë në lindje.

“Ushtarët rusë po përgatiten për një ofensivë në lindje të vendit tonë në të ardhmen e afërt. Ata duan të shkatërrojnë Donbasin”, ka thënë Zelensky, përcjell Telegrafi.

“Ashtu si ushtria ruse po shkatërron Mariupolin, ata duan të shkatërrojnë qytete të tjera dhe komunitete të tjera në rajonet Donetsk dhe Luhansk”, vazhdoi ai, duke shtuar se zyrtarët do të bënin “gjithçka” për të mbrojtur zonën.

Lexo po ashtu “Nuk kam më lot”: Banori i një fshati të Kievit rrëfen se si trupat ruse vranë djalin e tij

Ndërkohë, qyteti port juglindor i Mariupolit, i cili i është nënshtruar bombardimeve të vazhdueshme që nga fillimi i agresionit rus, ishte ende duke u përballur me dhunën pasi Rusia kërkonte që trupat atje të dorëzoheshin ose të vdisnin.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se “të gjithë atyre që kanë hequr dorë nga armët do t’u garantohet shpëtimi i jetës”.

Ndërkohë ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba i tha CBS të dielën se trupat ruse kishin vendosur “të rrafshonin me tokë qytetin (Mariupol) me çdo kusht”.

Lexo po ashtu Videoja u shpërnda gjithandej, Zelensky thotë se kjo ishte gjëja më e tmerrshme që ka parë në jetën e tij

Por zyrtarë të tjerë thanë se ushtarët ukrainas në Mariupol do të qëndrojnë dhe do të luftojnë në qytet “deri në fund”.

Zelensky bëri thirrje edhe një herë të dielën për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, duke përfshirë edhe sektorin e tyre energjetik. /Telegrafi/