Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur mbrëmjen e kaluar teksa agresioni rus po vazhdon edhe një ditë tjetër.
Duke iu referuar komenteve të bëra nga gjenerali rus Rustam Minnekayev të premten, Zelensky tha se është e qartë se Ukraina ishte vetëm fillimi, përcjell Telegrafi.
Më herët, Z. Minnekayev, zëvendës komandant i qarkut ushtarak qendror të Rusisë, tha se Moska kishte plane për të pushtuar të gjithë rajonin lindor të Donbasit.
Forcat më pas do të lidheshin me gadishullin e Krimesë dhe do të merrnin të gjithë jugun e Ukrainës, deri në një rajon separatist të Moldavisë të pushtuar nga Rusia.
Zelensky tha se këto komente e bëjnë të qartë se Rusia ka plane për të pushtuar vende të tjera dhe se Ukraina ishte vetëm një pikënisje.
Ai shtoi se aleatët perëndimorë po ofrojnë tani armët që Ukraina ka kërkuar, duke përfshirë një premtim të ri prej 800 milionë dollarësh në ndihmë ushtarake nga SHBA. /Telegrafi/