Site icon Telegrafi

Zelensky u bën thirrje aleatëve të respektojnë premtimet për furnizimin me armë për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve të dielën që të respektojnë të gjitha premtimet për të furnizuar Ukrainën me armë, përfshirë ato për t’iu kundërvënë sulmeve ajrore ruse.

Zelensky tha se gjatë javës së kaluar forcat ruse kishin nisur qindra sulme në Ukrainë dhe ishin përdorur rreth 700 bomba ajrore dhe mbi 600 drone sulmuese, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 60 nga 94 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës, thanë forcat ajrore të dielën.

“Çdo javë, lufta ruse vazhdon vetëm sepse ushtria ruse ruan aftësinë e saj për të terrorizuar Ukrainën dhe për të shfrytëzuar epërsinë e saj në qiell”, tha Zelensky në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të përmbushin marrëveshjet e bëra tashmë.

“Vendimet e marra në samitin e NATO-s në Uashington, si dhe ato të miratuara gjatë takimeve të Ramstein në lidhje me mbrojtjen ajrore për Ukrainën, ende nuk janë zbatuar plotësisht”, citohet të ketë thënë Zelensky.

Udhëheqësi i Ukrainës tha këtë javë se kishte diskutuar me partnerët dhe Shtetet e Bashkuara mundësinë e dhënies së licencave Ukrainës për të prodhuar sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore. /Telegrafi/

Exit mobile version