Telegrafi

Zelensky thotë se Ukrainës i duhet më shumë kohë për një kundërofensivë ndaj forcave ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vendit të tij i duhet më shumë kohë për të nisur një kundërofensivë të shumëpritur kundër forcave ruse, pasi ushtria e saj pret dërgimin e ndihmës së premtuar ushtarake.

Sulmi i pritshëm mund të jetë vendimtar në luftë, duke rivizatuar vijat e frontit që për muaj të tërë kanë mbetur të pandryshuara.

Ai do të jetë gjithashtu një provë vendimtare për Ukrainën, e etur për të provuar se armët dhe pajisjet që ka marrë nga Perëndimi mund të rezultojnë në përfitime të rëndësishme në fushën e betejës, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Por duke folur në selinë e tij në Kiev, presidenti Zelensky i përshkroi brigadat luftarake, disa prej të cilave u trajnuan nga vendet e NATO-s, si “të gatshme”, por tha se ushtrisë ende i duhen “disa gjëra”, duke përfshirë automjete të blinduara që “po mbërrinin në grupe”.

“Me atë që kemi tashmë ne mund të shkojmë përpara dhe, mendoj, të jemi të suksesshëm”, ka thënë ai në një intervistë për transmetuesit e shërbimit publik që janë anëtarë të Eurovision News, si BBC.

“Por ne do të humbnim shumë njerëz. Unë mendoj se kjo është e papranueshme. Kështu që ne duhet të presim. Na duhet ende pak më shumë kohë”.

Ndryshe, kur dhe ku do të ndodhë goditja e Ukrainës, e mbështetur nga armët dhe pajisjet e furnizuara nga Perëndimi, është një sekret.

Ndërkohë, forcat ruse kanë fortifikuar mbrojtjen e tyre përgjatë vijës së frontit që shkon për 900 milje (1,450 km) nga rajonet lindore të Luhansk dhe Donetsk, deri në Zaporizhzhia dhe Kherson në jug.

Presidenti, megjithatë, shprehu besimin se ushtria ukrainase mund të përparojë, duke paralajmëruar për rreziqet e një “konflikti të ngrirë”, i cili, tha ai, ishte ajo në të cilën Rusia “po llogariste”. /Telegrafi/