Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyt ka akuzuar forcat ruse, që më parë kishin pushtuar një pjesë të rajonit Kharkivit në Ukrainë, për torturimin e banorëve te atjeshëm.
“Të paktën 10 lokacione të torturimit janë zbuluar në pjesën lindore të çliruar nga forcat ukrainase”, shtoi Zelensky në adresimin e tij më të fundit, transmeton Telegrafi.
“Torturimi ishte një praktikë në rajonin e okupuar”, tha ndër tjera presidenti ukrainas duke i quajtur pushtuesit që kanë ikur nga kundërofensiva ukrainase “fashistë”, sjelljet e të cilëve i krahasoi me ato të nazistëve.
Sikurse nazistët, rusët do të përgjigjen për veprimet e tyre para gjykatës, pretendon Zelensky, i cili tha se do të konfirmohet identiteti i atyre që kanë torturuar dhe keqtrajtuar njerëzit – “që ato krime i sollën nga Rusisë këtu në territorin e Ukrainës”.
Zelensky beson se forcat pushtuese kanë lënë pajisje për torturim, derisa kishin ikur të pushtuar nga paniku dhe kundërofensiva ukrainase.
Autoritetet e atjeshme kanë publikuar edhe fotografi, për të cilat besohet se janë pajisje për torturim që rusët i përdorën mbi civilët ukrainas.
Dëshmi për torturime janë gjetur edhe në mesin e kufomave të zbuluara në një varrezë masive, në një pyll në afërsi të qytetit Izyum. /Telegrafi/