Telegrafi

Zelensky thotë se Rusia do të përdorë raketa iraniane për sulme të mundshme në infrastrukturën e Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se Rusia synon të përdorë raketa iraniane për sulme të mundshme në infrastrukturën e Ukrainës, veçanërisht në sektorin energjetik të vendit.

Tashmë, më shumë se 4.5 milionë klientë janë pa energji elektrike në Kiev dhe gjashtë rajone të tjera për shkak të sulmeve ruse, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës të dielën, transmeton Telegrafi.

“Ne gjithashtu e kuptojmë se shteti terrorist po përqendron forcat dhe mjetet për një përsëritje të mundshme të sulmeve masive në infrastrukturën tonë. Para së gjithash, energjia”, tha Zelensky. “Në veçanti, për këtë, Rusia ka nevojë për raketa iraniane”, tha presidenti ukrainas, duke shtuar se Ukraina po “përgatitet të përgjigjet”.

Ai tha gjithashtu se të dielën, rusët “përdorën sërish drone sulmuese iraniane”, por ai nuk dha më shumë detaje.

“E gjithë bota do ta dijë se regjimi iranian e ndihmon Rusinë të zgjasë këtë luftë”, tha Zelensky.

“Nëse nuk do të ishte për furnizimin iranian me armë për agresorin, ne do të ishim më afër paqes tani,” vazhdoi ai. “Dhe kjo do të thotë më afër një zgjidhjeje të plotë të krizës ushqimore”.

Irani po përgatitet të dërgojë rreth 1,000 armë shtesë, duke përfshirë raketa dhe më shumë dronë sulmues, në Rusi, thanë për CNN zyrtarë nga një vend perëndimor që monitoron nga afër programin e armëve të Iranit. /Telegrafi/