Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se nëse Rusia vazhdon me referendume në zonat e pushtuara të vendit të tij për t’u bashkuar me Rusinë, nuk mund të ketë bisedime me Ukrainën ose aleatët e saj ndërkombëtarë.
“Nëse pushtuesit vazhdojnë rrugën e pseudo-referendumeve, ata do të mbyllin çdo shans për bisedime me Ukrainën dhe botën e lirë, gjë që pala ruse do t’i duhet qartë në një moment”, citohet të ketë thënë Zelensky.
Zyrtarët rusë dhe ukrainas mbajtën disa seanca bisedimesh menjëherë pasi forcat ruse filluan pushtimin e tyre në Ukrainë.
Por asnjë takim nuk është mbajtur që nga fundi i marsit, ku secila palë fajëson tjetrën për ndërprerjen e kontakteve.
Ndërkohë Papa Françesku ka mirëpritur nisjen nga portet ukrainase të Detit të Zi të anijeve të para që transportonin grurë të bllokuara më parë nga Rusia, duke thënë se përparimi mund të jetë një model për dialogun për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Anija e parë, Razoni, u nis më 1 gusht me shtatë të tjera pasuese deri të dielën falë një marrëveshjeje të eksportit të drithërave dhe plehrave midis Moskës dhe Kievit të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara muajin e kaluar.
Ajo erdhi pas paralajmërimeve të OKB-së për shpërthime të mundshme të urisë në disa zona të botës për shkak të ndalimit të dërgesave të grurit nga Ukraina që kishte goditur furnizimet dhe kishte çuar çmimet në rritje. /Telegrafi/