Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se nuk beson se është koha e duhur për zgjedhje, ndërsa debati për mbajtjen e tyre në vitin 2024 po intensifikohet – teksa vendi po lufton kundër pushtimit rus.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të gjitha zgjedhjet, përfshirë zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në pranverën e ardhshme, janë anuluar teknikisht sipas ligjit ushtarak që ka qenë në fuqi që nga fillimi i konfliktit vitin e kaluar.
“… tani është koha e mbrojtjes, koha e betejës, nga e cila varet fati i shtetit dhe popullit”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm.
Ai shtoi se është koha që vendi të jetë i bashkuar, jo i ndarë, duke shtuar: “Unë besoj se tani nuk është koha (e duhur) për zgjedhje”.
Vija e frontit midis palëve ndërluftuese ka mbetur kryesisht statike për gati një vit, pavarësisht nga një kundërofensivë e shumëpërfolur ukrainase, me forcat ruse të vendosura në Ukrainën jugore dhe lindore.
Dhe zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, aleatët kryesorë të Kievit, raportohet se kanë sugjeruar zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit 20-mujor.
Por Zelensky ka mohuar se kundërofensiva e Ukrainës ka arritur në një ngërç, ose se vendet perëndimore po presin nga Kievi për të hyrë në bisedime. /Telegrafi/